18 janar, 2017 – Sonte në mbrëmje Federata Turke e Futbollit ka shtruar një darkë të përbashkët për të gjitha delegacionet e shteteve pjesëmarrëse në turneun “Mercedes Benz Aegean Cup”, që po zhvillohet në Izmir. Delegacionin e Kosovës në këtë darkë ku ishin edhe zyrtarë të lartë të Federatës turke e përfaqësuan dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Xhelal Broja dhe Luan Vokshi. Në këtë takim u fol për rëndësinë që ka futbolli në bashkimin e njerëzve dhe të vendeve si dhe për rëndësinë që ka ky turne tradicional për gjeneratat e reja. Në fund të darkës të gjitha delegacionet shkëmbyen dhurata modeste.
Ndërkohë, Përfaqësuesja e Kosovës U-17 sot e ka pasur ditë të lirë dhe nga mikpritësit pasdite është organizuar shëtitja në qytetin e Kushadasit, derisa në orët e mbrëmjes përzgjedhësi Besnik Kollari me stafin e tij dhe me lojtarët e kanë analizuar lojën e kundërshtarit të nesërm, Sllovakisë.