Afërdita Fazlija, përzgjedhëse: Një fitore shumë e rëndësishme për të nisur mbarë ciklin eliminator të Evropianit. Ishte një ndeshje e vështirë pasi që kemi pasur pak informata për kundërshtarin. Por, jemi përgatitur maksimalisht duke i marrë të gjitha masat dhe me meritë e fituam ndeshjen, pasi që vajzat u munduan dhe e deshën më shumë fitoren. Arma kryesore e kombëtares tonë është mesfusha, por duhet pranuar që sonte të gjithë vajzat dhanë maksimumin. Kemi qenë në hendikep për shkak të mungesës së dy futbollisteve të krahut dhe jemi detyruar të inkuadrojmë dy mesfushore në ato pozita dhe i përgëzoj dy futbollistet për kryerjen e detyrave dhe angazhimin. Është vetëm ndeshja e parë dhe duhet të mbesim me këmbë në tokë. Kemi një ekip të ri ku mosha mesatare është 18-19 vjeç dhe do të punojmë me hapa të sigurt. Synojmë që edhe ndeshjen e radhës ndaj Sllovenisë të luajmë të disiplinuar dhe do të kërkojmë rezultat pozitiv.
Erëleta Memeti: Jam krenare për këtë kombëtare. Ndjehem e lumtur që e kemi fituar këtë ndeshje sepse është dashur të angazhohemi shumë. Të gjitha vajzat e dhamë maksimumin dhe në fund angazhimi na u shpërblye me fitore.
Valentina Limani: Jam shumë e lumtur me këtë fitore. Vajzat kanë dhënë maksimumin dhe e kanë merituar këtë fitore. Besoj që ky sukses do të na japë edhe më shumë vetëbesim, derisa për ndeshjen me Slloveninë do të kërkojmë vetëm rezultat pozitiv.
Modesta Uka: Jam shumë e lumtur për golin e realizuar dhe fitoren e shënuar. Golin dhe fitoren ia dedikojmë legjendës Fadil Vokrri. Shpresojmë që edhe në ndeshjet tjera do të shënojmë rezultate pozitive.