Sot më 10 qershor delegacioni i FF të Gjermanisë (DFB) dhe përzgjedhja e Landit Sachsen që po shoqëroheshin nga vëllezërit Nexhat dhe Zija Shoshi, paradite vizituan shkollën e futbollit të KF ”Flamurtari” në Prishtinë. Duke ju dëshiruar mirëseardhje drejtori i KF” Flamurtari”, z. Agim Hasani i njohu mysafirët për rrugëtimin e gjatë dhe traditën e klubit si dhe vështirësitë që kishte në kohë të ndryshme. Z. Hasani u foli edhe për punën që po bëhet në këtë shkollë të futbollit nga e cila dolën shumë futbollistë të talentuar që bën emër jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj. Për punën që bëhet në Kosovë me grup-moshat e reja mysafirët nga Gjermania i njoftoi nënkryetari i FFK-së Agim Ademi, ndërkaq sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu i njohu për mënyrën e funksionimit dhe trajtimin ligjor që u bëhet shkollave të futbollit. Delegacioni nga Gjermania u nda i kënaqur me këtë organizim e sidomos me numrin e madh të futbollistëve të rinj që siç thanë ata është e ardhmja e futbollit të Kosovës. Në fund nga të dyja palët shkëmbyen dhurata. T’ju kujtojmë se nesër më 11 qershor në stadiumin e KF”Liria” në Prizren në orën 17.00 do të zhvillohet ndeshja e dytë me Përfaqësuesen e Kosovës U-20.