Delegacioni i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, që ishte i pranishëm në ceremoninë e shpalljes së laureatëve për Vitin 2015 nga FFK-ja, në krye me nënkryetarin Muhamet Sejdini, zv.sekertari i sekretarit të përgjithshëm Enver Sylejmani dhe zëdhënësi Faton Zylbehari, pas ceremonisë patën një takim me krerët e FFK-së Fadil Vokrri, kryetar, Agim Ademi nënkryetar dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu. Krerët e FF të Maqedonisë duke falënderuar FFK-në për ftesën që të jenë të pranishëm në këtë ceromoni, ritheksuan edhe njëherë se do të jenë në krah të FFK-së në periudhën në vazhdim. Ndërsa kryetari Vokrri i falënderoi ata për këtë pjesëmarrje si dhe për gatishmërinë për ta përkrahur FFK-në, duke thënë se bashkëpunimi ndërmjet dy federatave do të vazhdojë të thellohet edhe më tej. Në fund përfaqësuesit e FF të Maqedonisë i dhuruan krerëve të FFK-së disa dhurata, ndërsa një fanellë i dorëzuan trajnerit të mirënjohur Ajet Shosholli, i cili sot nga FFK-ja u nderua me çmimin për vepër jetësore.