27 shkurt, 2024 – Komisioni i Garave i Ligës së Dytë, Superligës U19, Ligës së Parë U19 dhe Ligës U17, në krye me Ardian Llumnicën, ka organizuar sot një takim me delegatët e ndeshjeve në selinë e FFK-së, ku është diskutuar për fillimin e stinorit pranveror në këto katër liga masovike.
Në këtë takim është biseduar për të gjitha detajet e nevojshme për të siguruar një fillim të suksesshëm të stinorit pranveror si dhe mbarëvajtje të garave. Diskutimet përfshinë organizimin e ndeshjeve, kontrollin e infrastrukturës, si dhe çdo aspekt tjetër që lidhet me administrimin e garave.
Në të njëjtën kohë, delegatët i janë nënshtruar edhe një testi vlerësues rreth administrimit të ndeshjeve, me qëllim që të sigurohen standardet më të larta të administrimit dhe organizimit të ndeshjeve në të gjitha kategoritë.
Komisioni i Garave dhe delegatët e ndeshjeve shfaqën përkushtim e plotë për të siguruar që stinori pranveror të ketë rrjedhë sa më të mirë të garave.