15 mars, 2023 – Janë përcaktuar katër skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Kosovës në futboll. Prishtina, Llapi, Vushtrria dhe Gjilani janë skuadrat që do ta vazhdojnë luftën për trofeun e kësaj gare, që njëherësh mundëson edhe pjesëmarrjen në garat evropiane. Prishtina ka arritur të mposhtë kampionin në fuqi, Ballkanin, me rezultat 2:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi”. Rezultatin e zhbllokoi Kreshnik Uka nga penalltia në fund të pjesës së parë, derisa fitoren e bardhekaltërve e vulosi Genc Hamiti, në minutën e 58-të. Gjilani fitoi me lehtësi në duel me Trepçën’89 në “Riza Lushta”, me rezultat 5:1, ndeshje në të cilën spikati kapiteni Albert Dabiqaj, i cili realizoi pesë gola. Ndërkaq, golin e vetëm për “minatorët” e realizoi Ardian Muja. Punë shumë më të vështirë pati fituesi i këtij trofeu në edicionin e kaluar, Llapi në duel me Malishevën në “Zahir Pajaziti”. Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina biletën për gjysmëfinale e siguroi vetëm pas penalltive. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 2:2, rezultat i cili mbeti i pandryshuar edhe në vazhdime. E në serinë e penalltive më me fat ishin llapjanët, të cilët fituan 6:5. Në mesin e katër skuadrave më të mira në garat e kupës u përfshi edhe skuadra e Ligës së Parë, Vushtrria, e cila në çerekfinale e mundi skuadrën e Ligës së Dytë, Beharin, me rezultat 1:0. Në gjysmëfinale do të zhvillohen nga dy ndeshje, me sistem vajtje-ardhje.