23 maj, 2022 – Skuadra e Ligës së Tretë, Dinamo nga Ferizaj e ka siguruar inkuadrimin në Ligën e Dytë të Kosovës në futboll. Skuadra ferizajase në ndeshjen e barazhit të Regjionit të Prishtinës e ka mundur skuadrën Fortuna nga Drenasi, me rezultat 1:0. Ndeshja u zhvillua, të hënën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe u transmetua drejtpërdrejt në RTK. Po ashtu, në këtë ndeshje u përdor edhe sistemi VAR, duke e bërë FFK-në lidere sa i përket përdorimit të këtij sistemi edhe në nivelin e katërt të garave. E pikërisht ishte sistemi VAR që e konfirmoi penalltinë në minutën e 90-të të ndeshjes, e të cilën në gol e shndërroi Shqiprim Pira.