07 qershor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka vazhduar edhe sot përgatitjet para ndeshjes kundër Norvegjisë, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019. Gjatë paradites futbollistët kanë bërë vrapim në Gërmi, derisa pasdite kanë realizuar stërvitjen e tretë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nën drejtimin e përzgjedhësit Rafet Prekazi dhe trajnerëve Erdogan Celina e Naser Prapashtica. Edhe në këtë stërvitje djelmoshat treguan disiplinë, angazhim dhe përkushtim maksimal, derisa gjendja e tyre është shumë e mirë, ashtu edhe sikur entuziazmi për një paraqitje të mirë në Norvegji.
Deklaruan pas stërvitjes:
Rafet Prekazi: Kemi zgjedhur të punojmë në fushën me bari sintetik këtu në Podujevë, pasi edhe ndeshjen kundër Norvegjisë do ta luajmë në fushë me bari sintetik. Në dy ditët e kaluara futbollistët kanë pasur disa ankesa në fushë, pasi cilësia e barit sintetik në Kosovë në përgjithësi nuk është në nivelin më të mirë, por sot fati ishte me ne ngase para stërvitjes ka rënë shi dhe fusha ka qenë në nivelin e duhur. Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, por edhe me sjelljen dhe disiplinën që ata tregojnë.
Ardian Ismajli: Në këto ditë që jam bashkuar me Kombëtaren U21 kam parë një ekip shumë të bashkuar. Realisht shumicën e lojtarëve i njoh pasi kam luajtur me ta sa kam qenë në kampionatin vendor. Stërvitjet po shkojnë jashtëzakonisht mirë dhe besoj se me pak fat puna që po bëjmë këtu do të na shpërblehet me rezultat pozitiv në Norvegji. Shpresoj se paraqitjet e mia këtu do të ndikojnë për t’u rikthyer sërish në Kombëtaren A, pasi edhe këtu ka lojtar shumë cilësor.
Kamer Krasniqi: Ndjehem krenar dhe jam i lumtur që jam bërë pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës. Si trajnerët, ashtu edhe grupi i futbollistëve më kanë pritur shumë mirë. Po punojmë jashtëzakonisht mirë në stërvitje dhe besoj se me këtë grup të lojtarëve mund të nxjerrim rezultat pozitiv në Norvegji.