23 tetor, 2022 – Tri ndeshjet e ditës së sotme në kuadër të javës së 13-të në AlbiMall Superligë nuk kanë dhënë fitues. Dy ballafaqime kanë përfunduar me shifrat 1:1, teksa në njërën përballje nuk ka pasur gola fare. Skuadra kampione në fuqi, Ballkani, nuk ka arritur ta arkëtojë më shumë se 1 pikë në stadiumin “18 Qershori” në Klinë në përballje me Dukagjinin. Albion Rrahmani i kaloi kampionët në fuqi në epërsi në minutën e 62-të, me golin e shënuar me gjuajtje me kokë pas harkimit të Armend Thaqit. Por, një pikë për skuadrën e Armend Dallkut e siguroi Altin Merlaku, me golin e shënuar nga penalltia, në minutën e 78-të. Nga një gol nga secila skuadër u shënua edhe në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ku u ballafaquan Trepça’89 dhe Gjilani. Skuadra mitrovicase në fund u nda e kënaqur me epilogun e ndeshjes, duke pasur parasysh se që nga minuta e 9-të luajti me një lojtar më pak, pas përjashtimit me karton të kuq të Lulzim Pecit për shkak të ndërhyrjes ndaj Përparim Islamit, i cili u detyrua të largohet nga fusha me autoambulancë. Baton Zabërgja e kaloi Gjilanin në epërsi në minutën e 41-të, derisa shifrat i barazoi Christian Mba, në minutën e 50-të. Me një lojtar më pak tërë pjesën e dytë e zhvilloi edhe Malisheva në duel me Drenicën në stadiumin “Bajram Aliu”, por në fund arriti të marrë një pikë, pasi ndeshja u mbyll pa gola (0:0).