5 dhjetor, 2018 – UEFA i kushton mjaft rëndësi shëndetit dhe trajtimit të lëndimeve të futbollistëve dhe organizon seminare për të gjithë mjekët e ekipeve kombëtare. Në këtë kuadër,  në Romë të Italisë prej 4 deri më 7 dhjetor po mbahet  projekti i edukimit të mjekëve të ekipeve kombëtare të federatave evropiane. Në mesin e më shumë se 60 mjekëve pjesëmarrës, nga Kosova përkatësisht nga FFK-ja, po merr pjesë edhe mjeku i ekipit tonë kombëtar dr. Murat Berisha, i cili ka falënderuar drejtuesit e FFK-së që i kanë mundësuar pjesëmarrjen duke e vlerësuar praninë e tij në këtë seminar si shumë domethënës, ku po trajtohen tema me rëndësi për lëndimet e mundshme të futbollistëve në fushën e gjelbër. Sipas dr. Berishës në këtë program edukimi temë bosht është “Tronditjet e lojtarëve në fushën e futbollit”, që në kushtet e sotme të një loje të fortë e burrërore, gjithnjë e më shumë kemi tronditje, ndaj qasja, trajtimi dhe mënjanimi i tyre është mjaft e rëndësishme”. Të kujtojmë se dr. Berisha ishte pjesëmarrës edhe në seminarin e Barcelonës si dhe në seminarin që u organizua nga FFK-ja nën përkujdesjen e UEFA-s për mjekët e ekipeve të Kosovës në futboll.