7 shkurt, 2024 – Për vizitë dyditore në Federatën e Futbollit të Kosovës ka qëndruar Dr. Naomi Datson, mentore e Licencës UEFA B për fitnes. Qëllimi i kësaj vizite ishte finalizimi i programit për organizimin e kursve për Licencën UEFA B për trajner të fitnesit. Në takimin me dr. Datson ishin të pranishëm Sanije Krasniqi, përgjegjëse për edukim, dr. Faton Tishukaj dhe Fitim Shabani, ligjërues dhe edukator në kurset e edukimit të trajnerëve.

Ajo është shprehur shumë e kënaqur me temat që përfshihen në kurset për Licencat C dhe B si dhe me punën e bërë për fillimin e Licencës UEFA B për fitnes. Pjesë e diskutimeve ka qenë edhe përfshirja e modulit të fitnesit në Licencën B për portier. Përveç takimeve në FFK, dr. Datson ka vizituar edhe Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku realizohet puna praktike dhe është shprehur e kënaqur me kushtet që ofron ky kamp.

Për të qenë pjesë e kurseve për Licencën UEFA Fitnes B, trajnerët duhet të kenë përfunduar Licencën C dhe të kenë minimum diplomë Bachelor në shkencat sportive. Për ata që janë të interesuar për Licencën B për portier, kërkohet të kenë përfunduar Licencën C për trajner dhe Licencën C kombëtare për portier.

Trajnerët që do të jenë pjesë e këtyre kurseve do të kenë mundësinë për të përmirësuar dhe zgjeruar njohuritë e tyre në fushën e trajnimit dhe fitnesit në sport. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të avancuar në karrierën e tyre dhe për të siguruar standarde të larta në drejtimin dhe trajnimin e ekipeve.