24 prill, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 30-të në Superligë. Drenica ka barazuar në shtëpi në duel me Feronikelin, me rezultat 1:1. Kuqezinjtë e Skenderajt arritën t’i shmangen humbjes me golin e shënuar në minutat shtesë, kur Kreshnik Uka realizoi me gjuajtje të shkëlqyeshme nga ndërprerja. Feronikeli kishte epërsi që nga minuta e parë, me golin e Marko Simonovskit, pas asistimit të Silvas. Pas këtij barazimi, Drenica renditet e teta me 34 pikë (pozitë kjo që çon në barazh), ndërsa Feronikli me 35 pikë mban pozitën e gjashtë. Në ndeshjen tjetër, skuadra e parafundit në renditje, Arbëria ka arritur të kthehet te fitorja, duke e mundur skuadrën e fundit në renditje dhe pa shpresa për mbijetesë në elitë, Besën, me shifrat 2:1. Të parët në epërsi kaluan pejanët me golin e Etnik Brrutit, në minutën e 52-të. Por, vendasit u kundërpërgjigjen shpejt dhe në minutën e 65-të barazuan shifrat me golin e Santos, derisa në minutën e 85-të Hysen Bytyqi shënoi golin e fitores. Edhe pas këtij triumfi Arbëria mbetet në vendin e nëntë me 30 pikë, por mbanë gjallë shpresat për t’iu shmangur rënies nga elita.