17 nëntor, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 15-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Drenica ka shënuar fitoren e dytë radhazi, duke e mposhtur Prishtinën, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 2:0. Kuqezinjtë e Skenderajt janë treguar më të mirë në çdo aspekt të lojës, duke iu gëzuar në fund tri pikëve tejet të rëndësishme. Rezultatin e zhbllokoi Armend Abazi në minutën e 21-të pas një kombinimi të dyfishtë me Genc Hamitin. Ndërkohë, ky i fundit e vulosi fitoren e Drenicës në minutën e 89-të, pas asistimit të Taulant Dajakut. Për Prishtinën kjo ishte humbja e dytë radhazi. Një pikë si mysafir e ka shkëputur Gjilani në duel me Vëllaznimin, duke e mbyllur ndeshjen pa gola (0:0). Ndërkaq, Flamurtari ka shënuar fitore bindëse si vendas në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, kundër Besës, me rezultat 3:1. Golat për Flamurtarin i shënuan Blend Baftiu (22’), Mërgim Boshnjaku (60’) dhe Fidan Muja (75’).