5 maj, 2022 – Drenica dhe Malisheva kanë realizuar fitore të rëndësishme në kuadër të javës së 33-të në BKT Superligë, në garën për t’iu shmangur barazhit. Drenica ka fituar para tifozëve të vet në duel me Llapin, me rezultat të ngushtë 1:0. Golin e tri pikëve të reja për kuqezinjtë e Skenderajt e realizoi Besfort Dervishaj, në minutën e 78-të. Pas kësaj fitoreje Drenica ka 43 pikë, por mbetet në pozitën e tetë, që dërgon në barazh, teksa me kuotë të njëjtë të pikëve është edhe Malisheva, në pozitën e shtatë. Kjo e fundit arkëtoi tri pikë të mëdha si mysafire në Suharekë në përballje me tashmë kampionin e ri, Ballkanin, me rezultat 3:2. Të relaksuar nga konfirmimi si kampionë, futbollistët e Ballkanit nuk ishin në nivelin e tyre më të mirë dhe këtë e shfrytëzuan malishevasit. Golat për mysafirët i shënuan Ronald Sobowale, Hasan Hyseni dhe Xhevdet Shabani, derisa për portokallezinjtë realizuan Albion Rrahmani e Ermal Krasniqi. Në fundjavë zhvillohet takimi tejet interesant ndërmjet Malishevës dhe Drenicës, i cili mund të sqarojë shumëçka në garën për t’i ikur barazhit.