29 shtator, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 7-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Drenica ka shënuar fitore në stadiumin “Bajram Aliu” në duel me Malishevën, me rezultat 1:0. Golin e tri pikëve të reja për Drenicën e realizoi Harallamb Qaqi, në minutën e 19-të pas harkimit të Genc Hamitit. Kjo fitore ia mundësoi kuqezinjve të Skenderajt të rikthehen në pozitën e parë, me 14 pikë. Fitore në shtëpi realizoi edhe Gjilani, që me përmbysje të rezultatit e mposhti Llapin, 2:1. Mysafirët kaluan në epërsi me golin e realizuar nga Francisco Rivera, në minutën e 19-të, por gjilanasit arritën të përmbysin gjithçka në pjesën e dytë me golat e shënuar nga Gerhard Progni nga penalltia, në minutën e 66-të dhe Armend Halili, në minutën e 89-të. Ndërkohë, përballja ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit është mbyllur pa fitues dhe pa gola. Ky barazim i ka kushtuar Ballkanit me humbjen e pozitës së liderit.