15 shtator, 2022 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet tjera në kuadër të javës së 7-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Drenica ka arritur të shënojë fitore si mysafire në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, duke e mundur Dukagjinin, me rezultat 2:1. Të dy golat kuqezinjtë e Skenderajt i realizuan në pjesën e parë. Fillimisht shënoi Bintsouka Koxy, në minutën e 13-të, derisa më pas epërsinë e shtoi Altin Vojvoda, në minutën e 37-të. Në anën tjetër, Dukagjini me gjithë përpjekjet e vazhdueshme nuk arriti ta ndryshojë fatin e takimit, përveç se ta ngushtojë disavantazhin me golin e Oto John (49’). Ndeshja tjetër e zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë ndërmjet Trepçës’89 dhe Ferizajt u mbyll baras 1:1. Ferizajasit ishin shumë afër ta shijojnë fitoren e parë në këtë edicion, ngase kaluan në epërsi me golin e Drilon Sadikut, në minutën e 81-të, por “minatorët” nuk u dorëzuan dhe në frymën e fundit të ndeshjes arritën t’i shmangen humbjes, me golin e realizuar nga Armend Gashi.