Skuadra e Drenicës edhe në edicionin e ardhshëm do të jetë pjesë e elitës së futbollit tonë. Kuqezinjtë e Skenderajt sot në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, në praninë e mbi 2.000 tifozëve, kanë shënuar fitore kundër skuadrës së Ligës së Parë, Dukagjinit, me rezultat 2:1, në ndeshjen e barazhit. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Drenicës, në minutën e 58-të, me golin e shënuar nga Hysen Tahiri nga gjuajtja e lirë, por vetëm pesë minuta më vonë skuadra nga Klina arriti ta rikthejë baraspeshën në rezultat, me golin e shënuar nga Altin Merlaku. Ndërkohë, golin e epërsisë për Drenicën, që njëherësh edhe ia siguroi mbetjen në Raiffeisen Superligë e shënoi Liridon Syla, me një gjuajtje nga distanca në minutën e 83-të. Krejt në fund Drenica pati mundësi për të shënuar edhe golin e tretë, por Hysen Tahiri gjuajti jashtë nga pika e bardhë.