16 shtator, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 4-t në BKT Superligë. Drenica ka shënuar fitore si mysafire në duel me Ulpianën, me rezultat 1:0, duke e marrë kryesimin e elitës pas kësaj jave, me 10 pikë. Golin e tri pikëve të rëndësishme për kuqezinjtë e Skenderajt e realizoi Kreshnik Uka, në minutën e katërt shtesë me gjuajtje me kokë pas harkimit të Hysen Tahirit. Në ndeshjen tjetër, Gjilani ka arritur të shkëpusë një pikë si mysafir në “Fadil Vokrri”, duke e mbyllur baras takimin me Prishtinën, 1:1. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 84-t me golin e Besnik Krasniqi nga penalltia, e cila u akordua nga gjyqtari Dardan Çaka pas ndërhyrjes së VAR-it. Ndërkaq, një pikë të rëndësishme Gjilanit ia siguroi Albert Dabiqaj, me golin e shënuar me kokë në minutën e 96-të. Kësisoj, skuadra kampione në fuqi edhe mëtutje mbetet pa e shijuar fitoren në këtë edicion, derisa për Gjilanin ky ishte barazimi i tretë në katër ndeshje.