5 mars, 2019 – Sot është zhvilluar ndeshja hapëse e javës së 21-të në IPKO Superligë, ndërmjet Ballkanit dhe Dritës, e cila ka përfunduar me fitoren e skuadrës mysafire, me rezultat 2:1. Deri te kjo fitore skuadra kampione në fuqi arriti me përmbysje të rezultatit. Ishin vendasit ata që shënuan të parët me golin e shënuar nga Jetmir Topalli me gjuajtje me kokë në minutën e 13-të, epërsi me të cilën shkuan edhe në pushim. Mirëpo, në pjesën e dytë gjilanasit e menaxhuan lojën më mirë dhe u treguan më efikas në rastet e krijuara, duke shënuar dy herë për përmbysje të rezultatit. Fillimisht Haxhi Neziraj i barazoi shifrat në minutën e 57-të, derisa në minutën e 70-të Kyrian Nwabueze e realizoi golin e fitores. Ndeshjet e tjera të javës së 21-të do të zhvillohen nesër.