6 nëntor, 2022 – Përballja e lidere aktuale të renditjes, Dritës dhe kampionit në fuqi, Ballkanit, ka përfunduar pa fitues. Ndeshja e zhvilluar, të dielën, në Gjilan, në kuadër të javës së 15-të në Albi Mall Superligë, është mbyllur baras 2:2. Drita ishte dy herë në epërsi, por nuk arriti ta ruajë atë. Fillimisht shënoi Besnik Krasniqi nga penalltia, në minutën e 12-të. Por, 11 minuta më vonë shifrat i barazoi Albin Berisha. Në fillim të pjesës së dytë Drita e riktheu epërsinë, me golin e Marko Simonovskit me gjuajtje me kokë pas harkimit të Selmanit, në mënutën e 49-të. Megjithatë, një pikë portokallezinjve ia siguroi sulmuesi i spikatur Albion Rrahmani, në minutën e 74-t, pas minuta pasi u inkuadrua në lojë. Drita edhe më tutje kryeson renditjen, me 31 pikë, katër më shumë se Ballkani. Mirëpo, skuadra e Ilir Dajës nuk i ka zhvilluar tri ndeshje për shkak të angazhimeve në UEFA Conference League. Befasinë e kësaj jave e ka përgatitur skuadra e fundit në renditje, Ferizaj, që ka arritur fë fitojë si mysafire në “Zahir Pajaziti” kundër Llapit, 2:1. Golat për ferizajasit i shënuan Dardan Çerkini dhe Betim Haxhimusa, derisa golin e vetëm për llapjanët e realizoi Bianor Neto. Ndërkohë, të shtunën, Prishtina barazoi 2:2 në “Fadil Vokrri” kundër Gjilanit, Dukagjini fitoi bindshëm ndaj Malishevës (4:0), teksa Trepça’89 e mundi Drenicën me rezultat të ngushtë (1:0).