15 shtator, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 4-t në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Dy skuadrat e kreut të renditjes, Drita dhe Ballkani e kanë mbyllur duelin e tyre pa fitues dhe pa gola. Ndonëse të dyja skuadrat patën rastet e tyre për gol, asnjëra nuk arritën ta dërgojnë topin në rrjetën e portës kundërshtare. Ndërkohë, Malisheva ka vazhduar me paraqitje të mira, teksa si mysafire e ka mundur Llapin, me rezultat 3:0, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Golat për Malishevën i realizuan Torvioll Stullqaku (57’, 59’) dhe  Oliver (90+). Për llapjanët kjo ishte humbja e dytë si vendas, derisa ka realizuar edhe dy barazime. E fitores së dytë iu gëzua Feronikeli, që në shtëpi e mundi Dukagjinin, me shifrat 1:0. Skuadrës nga Drenasi i mjaftoi goli i Ard Qorrit në minutën e 6-të për tri pikë të rëndësishme në këtë fillim të edicionit.