Skuadra e Dritës ka barazuar në shtëpi kundër skuadrës kryesuese, Feronikelit, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 13-të në Raiffeisen Superligë. Futbollistët e Dritës patën një paraqitje shumë të mirë, por në fund u detyruan të kënaqen me barazim. Drita kaloi e para në epërsi në minutën e 32-të, me golin e Alban Shillovës me gjuajtje me kokë pas asistimit të Xhevdet Shabanit. Megjithatë, në pjesën e dytë Feronikeli luajti më mirë dhe arriti t’i barazojë shifrat në minutën e 63-të, me golin e Përparim Livorekës i cili doli i vetëm para portierit Artan Latifi pas asistimit të shkëlqyeshëm të Mentor Zhdrellës. Pas javës së 13-të Feronikeli mbetet lider më 26 pikë, derisa Drita pozicionohet në pozitën e shtatë, me 17 pikë.