Skuadra kampione në fuqi, Drita, ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Drenicën, me rezultat 2:0, në kuadër të javës së 20-të në IPKO Superligë. Megjithatë, për të arritur deri te fitorja gjilanasit vuajtën shumë. Në fakt, të dy golat u shënuan vetëm në minutat shtesë. Fillimisht shifrat i zhbllokoi Kyrian Nwabueze (90’+1’), derisa golin e dytë e realizoi Xhevdet Shabani nga penalltia (90’+5’). Tri pikë tejet të rëndësishme në garën për mbijetesë i ka arkëtuar Ferizaj, që para tifozëve të vet ka shënuar fitore kundër Ballkanit, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e realizoi Bashkim Shala në minutën e 85-të. Ndërkohë, ballafaqimi i zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, ndërmjet Lirisë dhe Gjilanit është mbyllur pa fitues, 1:1. Të parët në epërsi kaluan prizrenasit me golin e Blendi Memajt, në minutën e 30-të, por Gjilanin nga humbja e shpëtoi Keita Razak, me golin e shënuar në minutën e 75-të.