23 shtator, 2018 – Skuadra kampione në fuqi, Drita, ka shënuar fitore në përballje me Prishtinën, në kuadër të javës së 6-të në IPKO Superligë, duke regjistruar në këtë mënyrë fitoren e parë pas katër humbjeve radhazi. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan, që ishte i mbushur me tifozë, u mbyll me rezultat 1:0. Golin e fitores për kampionët në fuqi e shënoi Arbër Shala, në minutën e 59-të. Kësisoj, Shpëtim Duro debutoi me fitore në bankinën e Dritës dhe tashmë kjo skuadër shpreson të rikthehet ngadalë në formën e saj më të mirë dhe të ngjitet në kreun e renditjes. Ndërkohë, fitore ka realizuar edhe Gjilani, që si mysafir e ka mposhtur Ferizajn, me rezultat 2:0. Golat për Gjilanin i shënuan Wilber Peres, në minutën e 62-të dhe Edon Sadriu, në minutën e 87-të.