3 tetor, 2019 – Drita dhe Gjilani kanë shënuar fitore me rezultate bindëse në ndeshjet e zhvilluara sot në kuadër të javës së 8-të në Ipko Superligë. Pas fitores në derbin e qytetit, Drita ka shënuar fitore me rezultat bindës 5:1 në duel me Vushtrrinë, duke u ngjitur në pozitën e parë në renditje, me pikë të njëjta me Llapin dhe Ballkanin. Golat për Dritën i shënuan Cardoso (21’), Bujar Shabani (39’), Betim Haxhimusa (50’, 84’) dhe Xhevdet Shabani (62’), derisa golin e nderit për vushtrriasit e shënoi Matheus de Paula nga penalltia. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Gjilani arriti ta mposhtë Flamurtarin në kryeqytet, me rezultat 4:1. Gjilani e mbylli pjesën e parë me dy gola epërsi, të cilat i realizoi Gerhard Progni, në minutat e 20-të dhe të 30-të. Bedri Greca e shtoi epërsinë e gjilanasve pas nëntë minutave lojë në pjesën e dytë, ndërsa 14 minuta para fundit të ndeshjes Flamurtari shënoi golin e ngushëllimit përmes Festim Krasniqi. Në minutat e fundit të ndeshjes, Gjilani shënoi edhe golin e katërt, kësaj radhe ishte Fiton Hajdari që shënoi për rezultatin përfundimtar 4:1.