14 shtator, 2022 – Drita dhe Prishtina kanë realizuar fitore me rezultate bindëse në kuadër të javës së 7-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Drita ka shënuar fitore në derbin e qytetit, duke e mundur Gjilanin, me shifrat 4:1. Për skuadrën e Zekirija Ramadanit kjo ishte humbja e parë në këtë edicion, derisa për skuadrën e Ardian Nuhiut kjo ishte fitorja e katërt në gjashtë ndeshjet e deritashme, ngase duelin e javës së tretë me Prishtinën nuk e ka zhvilluar ende. Drita e mbizotëroi plotësisht ndeshjen dhe qysh në pjesën e parë krijoi epërsi prej tre golash. Shifrat i zhbllokoi Blend Baftiu, derisa më pas në skenë doli sulmuesi maqedonas, Marko Simonovski, i cili shënoi “hat-trick”. Golin e nderit për Gjilanin e shënoi Baton Zabërgja. Ndërkohë, Prishtina është rikthyer te fitorja pas një humbje dhe një barazimi. Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi e mposhti Malishevën, me rezultat 4:2, stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Golat për Prishtinën i realizuan Mendurim Hoti (3’), Kreshnik Uka (27’), Endrit Krasniqi (34’-pen) dhe Kushtrim Gashi (45’+2′), derisa për Malishevën realizuan Alban Shillova (39’) dhe Fiton Hajdari (85’).