12 gusht, 2018 – Dy skuadrat që do të përballen nesër në ndeshjen e Superkupës, Drita dhe Prishtina, sonte në mbrëmje, kanë kryer stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo ishte hera e parë që dy skuadra shkelën në fushën e gjelbër të stadiumit tërësisht të rinovuar dhe i cili ka marrë një pamje të mrekullueshme. Edhe tek futbollistët dhe stafi teknik i skuadrave mbetën të mahnitur me ndryshimet e bëra në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa u zotuan se në ndeshjen e nesërme do të japin maksimumin për t’i kënaqur tifozët e pranishëm, të cilët besohet se do të jenë në numër të madh. Ndeshja Drita – Prishtina fillon në orën 20:00.