18 prill, 2021 – Me dy ndeshjet e sotme është mbyllur java e 29-të në Superligë. Skuadra kampione në fuqi dhe lidere e renditjes, Drita ka shënuar fitoren e 19-të në këtë edicion. Gjilanasit kanë arkëtuar pikët e plota si mysafirë në “Riza Lushta” në Mitrovicë në duel me Trepçën’89, me rezultat 1:0. Kampionëve u ka mjaftuar goli i Festim Alidemës nga penalltia në minutën e 53-të për ta ruajtur distancën me dy ndjekësit më të afërt, Ballkanin dhe Prishtinën. Fitore si mysafir ka realizuar edhe Ballkani, që në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas e ka mundur Feronikelin, me rezultat 2:0. Ermal Krasniqi shënoi golin e parë në minutën e 35-të, derisa golin e dytë e realizoi Mirlind Daku nga penalltia në minutën e 76-të. Për Dakun ky ishte goli i 27-të në këtë edicion. Drita kryeson renditjen me 64 pikë, tri më shumë se Ballkani që është i dyti dhe katër më shumë se Prishtina që zë vendin e tretë.