22 tetor, 2023 – Drita ka shënuar fitore tejet të rëndësishme si mysafir në kuadër të javës së 10-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra e drejtuar nga Akis Vavalis, të dielën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, e ka mposhtur Llapin, me rezultat 1:0. Golin e fitores për Dritën e shënoi Almir Ajzeraj, në minutën e 81-të, kur pas dy tentimeve arriti ta mposhtë portierin Ilir Avdyli. Pas kësaj fitore, Drita ka arritur në kuotën 21 pikëve dhe mban pozitën e dytë, me dy pikë më pak se lideri i tabelës, Ballkani. Një ndeshje tejet interesante u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj”, ku Dukagjini arriti të fitojë ndaj Malishevës, me rezultat 4:3, edhe pse ishte në disavantazh të dy golave. Vendasit e mbizotëruan pjesën e parë, duke krijuar epërsi me golat e Aliut (10’) dhe Nyavedji (40’), por në pjesën e dytë skuadra e Armend Dallkut përmbysi gjithçka, me golat e shënuar nga Zulifiji (47’), Junior (54’), Santos (71’) dhe Merlaku (76’). Ndërkaq, golin e tretë për malishevasit e realizoi Hazrolli (90+3’).