2 prill, 2023 – Skuadra e Dritës ka arritur fitore me rezultat bindës kundër Drenicës (3:0) në kuadër të xhiros së 27-të në Albi Mall Superligë. Me këtë fitore, Drita është kthyer në vendin e parë në renditje me 55 pikë, një më shumë se kampioni aktual, Ballkani. Ndërkohë, Drenica mbetet e fundit në tabelë me 23 pikë dhe me shpresa gjithnjë e më të vogla për t’iu shmangur rënies nga elita. Drita vuajti për ta thyer rezistencën e Drenicës, ndonëse kuqezinjtë mbeten me një lojtar më pak në fushë në minutën e 36-të pas përjashtimit të Agim Zekës. Shifrat i zhbllokoi Leonat Vitija në minutën e 58-të, derisa më pas realizuan edhe Blend Baftiu (76’) dhe Muharrem Jashari (79’). Dukagjini është rikthyer te fitorja pasi në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, e ka mundur Ferizajn, me rezultatin 3:1. Behar Bardhi kaloi në epërsi Ferizajn në minutën e shtatë, por Dukagjini u rikthye shpejtë, duke barazuar shifrat pas tre minutash me golin e Victor Hugos. Ndërkaq, në pjesën e dytë, Dukagjini e kapitalizoi mbizotërimin e plotë me dy gola, të cilat i shënuan Marclei Santos (59’) dhe Oto John (76’). Dukagjini kthehet në pozitën e gjashtë në renditjen e Superligës me 35 pikë dhe tani mbetet vetëm pesë pikë larg vendit të tretë, që dërgon në Ligën e Konferencës. Ndërkohë, Ferizaj vazhdon të qëndrojë në pozitën e parafundit me 28 pikë.