16 shkurt, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 18-të në IPKO Superligë. Derbi i madh ndërmjet Dritës dhe Gjilanit si zakonisht dhuroi spektakël në tribuna, por edhe katër gola, ku në fund fitores iu gëzuan futbollistët e Dritës, me rezultat 3:1. Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nderim të ndjerë të Gjilanit, Leonit Osmani, derisa futbollistët e të dyja ekipeve dërguan lule tek pankarta me figurën e të ndjerit. Golat për Dritën i shënuan Ardian Limani (8’), Kyrian Nwabueze (71’) dhe Erion Vucaj (90’+4’), derisa golin e barazimit të përkohshëm për Gjilanin e shënoi Fiton Hajdari (69’). Pas kësaj fitoreje Drita arrin në kuotën e 26 pikëve, por mbetet edhe më tutje një pozitë më poshtë se Gjilani që renditet i katërti. Fitore para tifozëve të vet kanë shënuar edhe Ferizaj dhe Ballkani. Skuadra e Ferizajt e ka mposhtur Trepçën’89, me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Genc Hamiti (12’ e 14’). Me të njëjtin rezultat ka fituar edhe Ballkani në duel me Drenicën, me golat e shënuar nga Blend Baftiu (7’) dhe Edvin Kuc (63’).

IPKO Superliga
Java e 18-të
KEK-u – Llapi 0:3
Drita – Gjilani 3:1
Ballkani – Drenica 2:0
Ferizaj – Trepça’89 2:0

Kupa e Kosovës – Femrat
Kosova (P) – Drenica 3:0
Dukagjini – Bazeli 6:0
Feronikeli – Vizioni 8:0
Liria – Malisheva 2:0
Jakova – Intelektualet 3-3, pas vazhdimeve 4:4, me panallti 10:11.
Ulpiana – Llapi, nuk u zhvillua