30 tetor, 2021 – BKT Superliga e Kosovës ka vazhduar sot me tri ndeshjet e javës së 12-të. Drita ka shënuar fitore në shtëpi në duel me skuadrën e Malishevës, me rezultat 1:0, duke e çuar serinë e saj pozitive në tri fitore radhazi. Deri te fitorja gjilanasit erdhën falë autogolit të Hotit me kokë pas harkimit të Fazliut, në minutën e 14-të. Ky triumf ia mundësoi Dritës që së paku përkohësisht të ngjitet në pozitën e parë, me 22 pikë, derisa Malisheva mbetet në pozitën e 7-të, me 12 pikë, por pa fitore në katër ndeshjet e fundit. Fitore ka shënuar edhe Llapi dhe atë si mysafir në Drenas në duel me Feronikelin, me rezultat 2:0. Llapjanët realizuan nga një gol në secilën pjesë për tri pikë të rëndësishme, nëpërmjet Riveras (38’) dhe Valmir Veliut (61’). Ndërkaq, ndeshja ndërmjet Dukagjinit dhe Gjilanit është mbyllur pa fitues, me shifrat 1:1. Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Ahmed Januzit, në minutën e 34-t, por një pikë Gjilanit ia siguroi Gerhard Progni, me gjuajtje me kokë në minutën e 86-të.