11 prill, 2021 – Me dy ndeshjet e sotme është përmbyllur java e 28-të në Superligë. Skuadra kampione në fuqi, Drita ka shënuar fitore në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në duel me Llapin, me shifrat 4:2. Kjo fitore ia ka mundësuar skuadrës së drejtuar nga Ardian Nuhiu që të mbetet lider edhe pas kësaj jave. Të parët në epërsi kaluan llapjanët me golin e Ahmed Jonuzit, në minutën e 2-të. Por vetëm një minutë më vonë Drita e riktheu baraspeshën në rezultat, me golin e Xhevdet Shabanit. Më pas gjilanasit kaluan në epërsi në minutën e 29-të me golin e shënuar nga Festim Alidema, por Llapi barazoi shifrat në minutën e 32-të me golin e Edon Sadriut. Në pjesën e dytë më efikas u treguan mysafirët të cilët realizuan dy herë tjera. Fillimisht Xhevdet Shabani shënoi në minutën e 70-të për 3:2, derisa gjashtë minuta më vonë Esosa Priestleyshënoi për rezultatin përfundimtar 4:2. Fitore të rëndësishme në udhëtim ka realizuar edhe skuadra tjetër pretendente për titull, Prishtina. Bardhekaltrit e kryeqytetit fituan në Skenderaj në duel me Drenicën, me rezultat 1:0. Golin e tri pikëve të rëndësishme për Prishtinën e realizoi Leutrim Kryeziu, në minutën e 73-të.