2 maj, 2018 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 30-të në Vala Superligë. Dy skuadrat e kreut të renditjes kanë barazuar në ndeshjet e sotme, duke bërë që lufta për titull të mbetet ende tejet e paqartë. Drita nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në derbin e qytetit kundër Gjilanit, duke e mbyllur sfidën 1:1, e cila si zakonisht ofroi spektakël në tribuna, por edhe lojë interesante në fushë. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Gjilanit, me golin e realizuar nga Ergon Hyseni, në minutën e 34-t. Megjithatë, Drita reagoi shpejtë, pasi në kohën shtesë të pjesës së parë e riktheu baraspeshën në rezultat (1:1), me golin e realizuar nga Kastriot Rexha, e që në fund doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i këtij dueli. Ndërkohë, këtë barazim të Dritës nuk ka arritur ta shfrytëzojë Prishtina, e cila si mysafire ka arkëtuar vetëm një pikë në duel me Feronikelin (0:0). Të dyja palët e kërkuan golin, por nuk arritën të shfrytëzojnë asnjërin prej rasteve të krijuara. Në anën tjetër, Trepça’89 ka shënuar fitore si mysafire kundër Lirisë, me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Oto John (20’) dhe Arb Manaj (71’), derisa Llapi para tifozëve të vet e ka mposhtur Drenicën, me shifrat 1:0, me autogolin e Lushtakut në minutën e 49-të. Nesër do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera të kësaj jave, Besa-Flamurtari dhe Vllaznia-Vëllaznimi.