22 prill, 2018 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 28-të në Vala Superligë. Drita ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në Podujevë, duke e mposhtur Llapin, me rezultat 3:1. Me këtë fitore skuadra gjilanase ka ruajtur epërsinë prej 3 pikëve ndaj Prishtinës. Llapjanët e nisën më mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi në minutën e 7-të, kur Mirlind Daku shënoi nga afërsia pas asistimit të Mentor Zhdrellës. Megjithatë, Drita shkoi në pushim me rezultat të barabartë, pasi Kastriot Rexha shënoi në minutën e 39-të pas asistimit të Astrit Fazliut, pasi ky i fundit ia rrëmbeu një top Dardan Jasharit. Në pjesën e dytë, Drita arriti të shënojë edhe dy herë dhe në të dyja rastet golashënues ishte Kastriot Rexha, në minutat 62-të dhe 70-të. Ky rezultat shkaktoi pakënaqësi te tifozeria llapjane, që reaguan në mënyrë sjosportive, për çka gjyqtari Genc Nuza kërkoi zbrazjen e tribunave dhe më pas ndeshja vazhdoi. Tri pikë të mëdha i ka fituar edhe Prishtina në Gjilan, duke e mposhtur Vllazninë, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Gauthier Mankenda, pas asistimit të Bozhoviq, në minutën e 32-të. Me këtë fitore Prishtina mban hapin me Dritën në garën për titull, derisa Vllaznia pas kësaj humbje i zvogëlon në minimum shpresat për mbijetesë. Fitore si mysafire ka realizuar edhe Drenica, e cila e ka mposhtur Besën, me shifrat 1:0. Golin e tri pikëve të mëdha që i shmangin kuqezinjtë e Skenderajt nga pozita e barazhit e ka shënuar Genc Hamiti, në minutën e 79-të. Ndërkohë, Flamurtari ka shënuar fitore para tifozëve të vet kundër Vëllaznimit, po ashtu me rezultat 1:0, duke barazuar pikët me Besën, skuadër me të cilën deri në fund do të luftojë për mbijetesë. Golin e fitores për Flamurtarin e shënoi Alban Shillova, në minutën e 17-të.