20 maj, 2018 –Drita është kampion i ri i Vala Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra e drejtuar nga Bekim Isufi, në ndeshjen e fundit të kampionatit 2017/18, që u zhvillua sot në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, ka arritur të barazojë pa gola me Prishtinën (0:0), rezultat ky i cili ia mundësoi t’i gëzohet titullit të dytë në histori të klubit pas atij në vitin 2003.
Kësisoj, Drita e mbylli kampionatin me 67 pikë, tri më shumë se Prishtina dhe me një rekord prej 29 ndeshjeve radhazi pa humbje. Do të jetë pikërisht kjo skuadër e cila do të na përfaqësojë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, derisa Prishtina për të dytin vit rresht do të luajë në Europa League. Përballja e fundit e kampionatit, e cila ishte vendimtare për skuadrën e cila do të jepte emrin e kampionit zgjoi një interesim të jashtëzakonshëm të tifozëve të dyja skuadrave, mirëpo kushtet e stadiumit e pamundësuan që të gjithë të ishin në tribuna. Megjithatë, tifozët gjilanas gjetën mënyra tjera për ta ndjekur ndeshjen, në çati të banesave përreth stadiumit, por edhe në parkun e qytetit, që është përbri anës perëndimore të stadiumit.
Drita, e cila ishte e favorizuar për shkak se i shkonin përshtati tri rezultate, humbja me një gol diferencë, barazimi dhe normalisht fitorja, u tregua shumë më e qetë dhe me mençuri të madhe e menaxhoi lojën, duke mos e lejuar thuajse për asnjë moment Prishtinën ta rrezikojë portën e Leutrim Rexhepit. Drita e nisi mirë ndeshjen dhe qysh në minutën e dytë pati mundësi ideale për të shënuar kur Xhevdet Shabani e shërbeu për mrekulli Endrit Krasniqin, por gjuajtjen e këtij të fundit e dëboi Visar Bekaj. Mundësinë e vetme në këtë pjesë Prishtina e pati nëpërmjet Mankendas, në minutën e 31-të, kur u rrëzua brenda zonës, por gjyqtari Tahiri nuk reagoi.
Ndërkohë, në minutën e 32-të për Prishtinën u vështirësuan dukshëm gjërat, kur Debatik Curri u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Xhevdet Shabanit jashtë vijës anësore, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë. Në pjesën e dytë, Drita e administroi mjaft mirë lojën, derisa Prishtina nuk pati forcën e duhur për të rrezikuar seriozisht portën kundërshtare. Edhe në këtë periudhë mundësia më e mirë iu dha gjilanasve, kur Përparim Livoreka depërtoi në zonë por golin ia mohoi Bekaj me një pritje të shkëlqyeshme.
Në minutat shtesë Prishtina mbeti edhe pa një lojtar, pasi Armend Dallku, nuk arriti t’i përmbajë nervat, duke qëlluar Bujar Shabanin në zonë.
Në fund, festa e tëra ishte e Dritës, që pas 15 vjetësh iu gëzua këtij trofeu dhe do të jetë për herë të parë në garat evropiane. Medaljet për kampionët i shpërndanë presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, kryeministri Ramush Hajradinaj, nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, derisa trofeun e kampionit kapitenit të Dritës, Ardian Limanit ia dorëzuan së bashku presidenti Vokrri dhe kryeministri i vendit, Haradinaj.

Deklaruan pas ndeshjes

Bekim Isufi, trajner i Dritës: Janë emocionet e para, janë të përziera, sepse ka qenë një finale. Normalisht jam shumë i kënaqur. Mendoj se Drita e ka merituar të shpallet kampion. Të mos harrojmë një gjë: të gjitha ekipet kanë bërë konkurrencë dhe ka pasur rivalitet të madh deri në fund. Mendoj se i gjithë qyteti i Gjilanit e ka merituar suksesin, ishim përgatitur për këtë arritje. Më vjen mirë që edhe Gjilani ka siguruar qëndrimin dhe do të kemi sërish derbi në Vala Superligën. Do ta mbaj mend gjatë këtë sukses. Parakualifikimet e Championsit? Duhet të ulemi të bisedojmë, sepse nuk kemi patur mundësi sa ç’duhet për të folur për pjesëmarrjen evropiane. Mendoj se të gjithë këta lojtarë do të jenë pjesëmarrës në Evropë. Duhet të shohim me kujdes se ku duhet të përmirësohemi. Le ta shijojmë një herë këtë sukses. Drita ka potencial, por duhet të bëhen 2-3 ndërhyrje. Të shpresojmë të kalojmë raundin e parë, pastaj kuptohet që ekipet janë shumë më të forta, sado që të përforcohesh, mbetet shumë e vështirë.

Mirel Josa, trajner i Prishtinës: E pata thënë edhe para ndeshjes, duhet të ishim të qetë dhe ta kishim lojën në kontroll. E dimë cilësinë e Dritës, qoftë të qendërsulmuesit qoftë në krah, nuk duhet të shkonim me mendimin se duhet ta mbyllnim që në pjesën e parë. Lojtarët e mi u shqetësuan shumë dhe nuk e ruajtën gjakftohtësisë. Na u prishën ekulibrat me ndëshkimin e Currit. Bëmë ndërrimet e duhura dhe lojtarët që mbetën në fushë e bënë punën mirë, por morali ra nga minuti në minut, pastaj erdhi ndëshkimi i Dallkut. Do të shkojmë në finalen e Digitaltb Kupës pa tre lojtarët. Drita e meritoi, e administroi më mirë lojën. Gabimin e kemi bërë që me Vëllaznimin e Gjakovës. Nuk duhet të merrem me arbitrat, por mendoj se kryesori duhej të jepte një karton të verdhë për Shabanin dhe mund të ekulibroheshin forcat në fushë më vonë.
Kastriot Rexha, sulmues i Dritës: Është kënaqësi e veçantë që pas 15 vjetësh e rikthyem titullin te Drita. Këta tifozë e kanë merituar, pasi kanë vuajtur shumë vite për t’iu gëzuar këtij trofeu. Ata kanë ardhur qysh mbrëmë këtu në Pejë dhe e kanë ndjekur ndeshjen nga një hapësirë e papërshtatshme. Për mua ky është titulli i dytë personal, pasi e kam fituar para disa vitesh edhe me Hysin dhe jam tejet i lumtur.