25 shkurt, 2018 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 20-të në Vala Superligë. Drita ka shënuar fitore si mysafire në Podujevë në duel me Llapin, me rezultat 1:0. Me këto tri pikë të reja skuadra gjilanase është ngjitur në krye të renditjes, me 36 pikë, aq sa ka edhe Prishtina në pozitën e dytë, derisa Llapi tashmë është në pozitën e tretë, me 34 pikë. Ndeshja në stadiumin “Zahir Pajaziti” u zhvillua në mot tejet të ftoftë dhe me reshje bore, por të dyja skuadrat paraqitën një lojë të pëlqyeshme. Megjithatë, rrugën e golit e gjetën mysafirët në minutën e 49-të, kur Xhevdet Shabani shënoi me një gjuajtje nga brendësia e zonës. Në ndeshjen tjetër, Gjilani shënoi fitore në shtëpi kundër Lirisë, me rezultat 1:0, po ashtu në një mot me reshje bore. Edhe në këtë ndeshje Gjilani golin e fitores e arriti në minutat shtesë, duke u dëshmuar si një skuadër me fat. Ashtu sikurse një javë më parë kundër Flamurtarit, edhe këtë herë ishte minuta e tretë shtesë ajo që i solli fat skuadrës së Arbnor Morinës, kur Armend Thaçi shënoi për fitoren e Gjilanit. Pas kësaj fitoreje Gjilani ngjitet në pozitën e pestë në renditje, me 32 pikë.
Vala Superliga
Llapi – Drita 0:1
Gjilani – Liria 1:0
Liga e Parë
Vushtrria – Ferizaj 1:1
Vitia – Rahoveci 0:1
Bashkimi – Kika 1:1
Superliga – Juniorët
Flamurtari – KEK-u 4:2
Fushë Kosova – Trepça ’89 3:0
Feronikeli – 2 Korriku, u shty