29 nëntor, 2020 – Janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 15-të në Superligë, teksa nesër do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera. Ashtu siç pritej derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës, edhe pse në mungesë të tifozëve për shkak të pandemisë, ka dhuruar lojë të mirë, emocione të mëdha dhe fund dramatik. Gjilani kaloi në epërsi qysh në minutën e 7-të, me golin e Darko Nikaç. Shifrat i barazoi Hamdi Namani, në minutën e 26-të, por Nikaç doli sërish në skenë në minutën e 40-të, duke e rikthyer epërsinë e Gjilanit, 2:1. Ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në minutën e 89-të, kur ndodhi përmbysja e jashtëzakonshme. Fillimisht Astrit Fazliu shënoi për shifrat 2:2, kurse ende pa kaluar një minutë i plotë Betim Haxhimusa shënoi edhe golin e fitores për Dritën, duke vulosur shifrat përfundimtare 2:3. Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Feronikeli arkëtoi tri pikë në shtëpi në duel me Trepçën’89, me rezultat 2:0, me golat e Marko Simonovski (28’) dhe Ardian Muja (ag 47’). Ndërkohë, dje Prishtina ka shënuar fitore si mysafire në duel me Besën (2:0), me golat e Endrit Krasniqit dhe Leotrim Kryeziut.