21 shkurt, 2024 – Drita ka shënuar fitore para tifozëve të vet kundër Ballkanit, me rezultat 1:0, në kuadër të javës së 21-të në Albi Mall Superligë, duke e bërë tejet interesante garën për titullin e kampionit në vazhdim të edicionit. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Jalen Mesa, pas asistimit të Besnik Krasniqit. Tani Drita ka 40 pikë, katër më pak se Ballkani, derisa Llapi po ashtu është në kuotën e 40 pikëve, por nesër e zhvillon ndeshjen e kësaj jave kundër Fushë Kosovës dhe ka mundësi ta zvogëlojë edhe më shumë diferencën.
Fitore tejet të rëndësishme ka realizuar edhe skuadra e Malishevës, e cila si mysafire në stadiumin “Sami Kelmendi” e ka mposhtur Prishtinën, me rezultat 2:0. Të dy golat Malisheva i shënoi pas gabimeve të portierit Agron Kolaj. Të parin e shënoi Altin Aliu, në minutën e 33-të, kurse të dytin Rilind Haziraj, në minutën e 88-të. Me këtë fitore Malisheva e ka përforcuar pozitën e katërt me 35 pikë, kurse Prishtina mbetet në pozitën e pestë me 30 pikë.
Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Feronikelit 74 dhe Gjilanit e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ka përfunduar pa fitues dhe pa gola (0:0). Me këtë barazim, Feronikeli është i shtati me 23 pikë, ndërsa Gjilani i teti me 21 pikë.