19 qershor, 2020 – Skuadra e Dritës ka realizuar fitoren e 16-të në këtë edicion, përkatësisht të tretën radhazi që pas rikthimit të kampionatit pas pauzës së gjatë si pasojë e pandemisë COVID-19. Gjilanasit fituan në shtëpi kundër Ferizajt, në ndeshjen hapëse të javës së 25-të, me rezultat 2:0, duke e përforcuar pozitën e parë në renditjen e Ipko Superligës. Golat për Dritën i shënuan Kastriot Rexha nga penalltia në minutën e 49-të dhe Ardian Cuculi në minutën e 77-të pas harkimit të Astrit Fazliut. Ndërkohë, nesër zhvillohen tri ndeshje, derisa të dielën dy ndeshjet e tjera.