8 tetor, 2022 – Drita ka shënuar fitoren e shtatë në këtë edicion të garave, teksa të shtunën, para tifozëve të vet e ka mundur Trepçën’89, me rezultat 3:1, në ndeshjen e cila e hapi javën e 10-të në Albi Mall Superligë. Kësisoj, Drita tani përforcon pozitën e parë me 24 pikë, duke lënë prapa Ballkanin me 18 pikë, por me tri ndeshje më pak të zhvilluara. Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu kaloi në epërsi në minutën e 7-të, me golin e Muharrem Jasharit me gjuajtje nga distanca. Drita e shtoi epërsinë në minutën e 54-t me golin e Besnik Krasniqit nga pika e 11-metërshit. Penalltia për gjilanasit u akordua me ndërhyrjen e VAR-it. Në fakt, pas ndërhyrjes në zonën e ‘89-shit gjyqtari nuk akordoi penallti dhe në vijim të aksionit mysafirët shënuan gol. Megjithatë, pas ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari Burim Jahmurataj vendosi për penallti dhe njëherësh u shfuqizua edhe goli i mitrovicasve. Goli i tretë për Dritën u shënua në minutën e 70-të, kur Ardit Tahiri shfrytëzoi një moskoordinim të mbrojtësit me portierin dhe shënoi në portën e zbrazur. Krejt në fund, Trepça’89 realizoi golin e ngushëllimit, nëpërmjet Mujës. Ndeshja tjetër e ditës së sotme zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 20:00, ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit.