28 shtator, 2023 – Drita ka realizuar fitoren e dytë radhazi, që është e treta në këtë edicion, pasi të enjten në kuadër të javës së 7-të në Albi Mall Superligë e ka mundur Feronikelin 74, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 2:0. Golat për gjilanasit i realizoi Blerim Krasniqi, në minutat 33-të dhe 77-të. Në anën tjetër, Feronikeli 74 pati mundësi për të shënuar në minutën e 65-të, por Robert Rrahmani nuk realizoi nga penalltia. Në ndeshjen tjetër, e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, Prishtina e mbylli në barazim duelin me Dukagjinin, 2:2. Prishtina kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Albin Krasniqi nga penalltia, në minutën e 22-të. Skuadra mysafire barazoi shifrat në minutën e 30-të me autogolin e Ardian Mujës, i cili devijoi gjuajtjen e Iljasa Zulfiut. Në minutat shtesë të pjesës së parë bardhekaltrit rikthyen epërsinë, falë autogolit të qendërmbrojtësit të klinasve, Elton Basri. Mirëpo, skuadra e Armend Dallkut barazoi sërish, kur Altin Merlaku shënoi me kokë në minutën e 55-të.