Futbollistët e Dritës kanë shënuar fitore si mysafirë në ndeshjen e fundit të javës së 14-të në Raiffeisen Superligë. Ata, sot, e kanë mposhtur Ferizajn, në stadiumin ‘Ismet Shabani’, me rezultat 1:0, nën drejtimin e trajnerit të ri, Arbnor Morina. Kjo ndeshje prodhoi një lojë mjaft interesante dhe të hapur nga të dyja palët. Megjithatë, rrugën e rrjetës arritën ta gjejnë gjilanasit, duke iu falënderuar edhe gabimit të portierit, Ilir Avdyli. Në fakt, ishte minuta e 22-të kur mbrojtësi i Dritës, Fidan Hasani, po thuajse nga mesi i fushës e dërgoi një top drejt portës, kurse Avdyli i penguar nga rrezet e diellit nuk arriti ta ndalë atë, por vetëm ta devijojë në portën e tij. Pikërisht ky gol edhe e përcaktoi epilogun e kësaj sfide, megjithëse në pjesën e dytë ferizajasit bën presion të vazhdueshëm në portën mysafire, por nuk arritën të konkretizojë asnjërin prej rasteve të krijuara. Pas kësaj fitoreje gjilanasit janë ngjitur në pozitën e 7-të, me 19 pikë, derisa Ferizaj mbetet në pozitën e katërt, në kuotën e 22 pikëve.