28 gusht, 2021 – Janë zhvilluar sot dy ndeshjet e para të javës së 2-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra nënkampione Drita ka barazuar pa gola para tifozëve të vet në duel me fituesin e Kupës dhe Superkupës, Llapin. Ndeshja u përshkrua me lojë të fortë dhe rivalitet, e ku në disa raste u nevojit ndërhyrja e VAR-it për të sqaruar gjërat, siç ishte rasti i kartonit të kuq për portierin e llapjanëve, Marjan Çoriq në minutën e 58-të dhe për golin e shënuar të mysafirëve nga Adem Maliqi në minutën e 83-të. Pas rishikimit të rasteve me VAR gjyqtari Vigan Ibërdemaj vendosi për anulimin e kartonit të kuq për portierin si dhe anulimin e golit për shkak se paraprakisht u shkaktua faull. Në ndeshjen tjetër Malisheva shënoi fitoren e parë në elitë dhe atë si mysafire kundër Ulpianës, me rezultat 3:1. Dy gola për Malishevën i realizoi Hasan Hyseni (30’ e 59’), derisa me një gol kontribuoi Torvioll Stullçaku (56’). E golin e nderit për Ulpianën e realizoi Marclei Santos. Për Malishevën kjo ishte fitorja e parë në elitën e futbollit kosovar, pasi në javën e parë kishte barazuar në shtëpi me Prishtinën (1:1).