4 qershor, 2017 – Drita ka siguruar mbetjen në Vala Superligën e Kosovës edhe për edicionin e ardhshëm. Skuadra gjilanase për herë të tretë radhazi ka arritur që mbijetesën në elitë ta sigurojë nëpërmjet ndeshjes së barazhit, pasi sot në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, e ka mposhtur Dukagjinin e Klinës, pas një loje tejet interesante, me rezultat 2:1. Edhe kjo ndeshje u zhvillua në një atmosferë madhështore nga tifozeritë e të dyja skuadrave. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Dukagjinit, me golin e shënuar në minutën e 35-të nga Emanuel Zallaj, me një gjuajtje të fortë nga distanca. Drita i barazoi shifrat në minutën e 64-t pas një aksioni të shkëlqyeshëm, kur Semir Zeneli shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Livorekës. Gjërat për Dukagjinin u vështirësuan në minutën e 75-të, kur portieri Visar Haxhijaj u ndëshkua me karton të kuq dhe në këtë mënyrë e la skuadrën me një lojtar më pak në fushë. Presioni i vazhdueshëm i futbollistëve të Dritës drejt portës së Dukagjinit dha rezultat në minutën e parë shtesë (91’), kur Alban Shillova shënoi pas harkimit të Semir Zenelit, duke ia siguruar Dritës edhe më tutje qëndrimin në elitë. Kësisoj, Dukagjini për të dytin vit radhazi nuk arriti të kalojë në Superligë nëpërmjet barazhit, pasi vitin e kaluar kishte pësuar humbje nga Drenica.