4 maj, 2023 – Drita ka realizuar njërën prej fitoreve më të rëndësishme në këtë edicion të garave, teksa e ka mundur Llapin, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, me rezultat 2:0, në kuadër të javës së 32-të në AlbiMall Superligë. Rezultatin e zhbllokoi Blend Baftiu, në minutën e 60-të nga afërsia, pas asistimit nga Ilir Blakqori, derisa fitoren e vulosi Raddy Ovouka në kohën shtesë pas asistimit të Ardit Tahirit. Llapjanët e patën një mundësi të artë për të shënuar në pjesën e parë, por Festim Alidema gjuajti jashtë kornizës së portës nga penalltia.

Triumfit të Dritës në Podujevë i ka dhënë vlerë më të madhe edhe barazimi i Ballkanit në shtëpi kundër Prishtinës (1:1). Madje, kampionët në fuqi humbjes iu shmangën me golin e shënuar në kohën shtesë, kur Albion Rrahmani realizoi nga një distancë prej 10-11 metrash. Deri në ato momente Prishtina ishte në epërsi me golin e shënuar nga Leotrim Kryeziu në fund të pjesës së parë, i cili realizoi pas asistimit të Shefit Shefitit. Pas dy ndeshjeve të sotme, renditjen e kryeson Drita, me 66 pikë e ndjekur nga Ballkani, me 63 pikë.

Në fundjavë do të ballafaqohen pikërisht dy skuadrat e kreut të renditjes, Drita-Ballkani, në një ndeshje që mund të vendosë gjithçka sa i përket titullit të kampionit në këtë edicion.

Ndërkohë, dje janë zhvilluar tri ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje. Gjilani e ka mundur Dukagjinin (2:0), me të njëjtin rezultat ka fituar edhe Ferizaj ndaj Drenicës, derisa Malisheva fitoi ndaj Trepçës’89, me shifrat 1:0.