6 dhjetor, 2020 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 16-të në Superligë. Skuadra kampione në fuqi, Drita ka shënuar fitore në duel me liderin e deritashëm, Ballkanin, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan, me rezultat 2:1. Me këtë fitore, Drita është ngjitur në pozitën e parë, duke e lënë tashmë skuadrën nga Suhareka me një pikë prapa. Të dy golat për Dritën i shënoi sulmuesi shtatlartë Kastriot Rexha në pjesën e parë në minutat 31’ e 45’ , derisa golin e vetëm për portokallezinjtë e shënoi topshënuesi i këtij edicioni në Superligë, Mirlind Daku, në minutën e 44’. Në ndeshjen tjetër, që u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” Llapi e mundi Besën pa ndonjë vështirësi të madhe, me rezultat 2:0, me golat e Valmir Veliut dhe Engjëll Hotit. Ndërkohë, në ndeshjet e zhvilluara të premten dhe të shtunën Prishtina e Feronikeli luajtën baras, 0:0, derisa Arbëria e mundi Drenicën (1:0) dhe Trepça’89 fitoi bindshëm ndaj Gjilanit (3:0).