10 tetor, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 9-të të Vala Superligës. Skuadra e Dritës ka shënuar fitore para tifozëve të vet, duke e mposhtur liderin e renditjes, Llapin, me rezultat 3:1. Golat për gjilanasit i shënuan Xhevdet Shabani (23’, 75’) dhe Astrit Fazliu (41’), derisa golin e vetëm për Llapin e shënoi Milind Daku (68’). Me këtë fitore Drita është ngjitur në pozitën e dytë, me 15 pikë, dy më pak se sa Llapi. Ndërkohë, dy ndeshjet tjera përfunduan pa fitues. Feronikeli dy herë ishte në epërsi, por në fund u detyrua të kënaqet me një pikë. Mendurim Hoti i kaloi mysafirët në epërsi në minutën e 20-të. Shifrat i barazoi futbollisti i ri Blend Baftiu, në minutën e 40-të. Epërsinë e Feronikelit e riktheu Qemail Elshani, në minutën e 79-të, por Flamurtarin nga humbja e shpëtoi Emir Rama, i cili shënoi eurogol nga gjuajtja e lirë në minutën e 88-të. Ndërkaq, në sfidën ndërmjet Lirisë dhe Gjilanit nuk pati gola, megjithëse të dyja skuadrat patën raste të mira shënimi.