20 gusht, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së parë në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra e Dritës e ka nisur me këmbë të mbarë edicionin e ri, duke shënuar fitore si mysafire kundër Prishtinës, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 1:0, për të paralajmëruar kësisoj se në këtë kampionat do të luftojë për kreun e renditjes. Ndeshja u zhvillua në një atmosferë shumë të mirë, të cilën e krijuan tifozeritë e të dyja skuadrave. Golin e fitores për gjilanasit e shënoi Xhevdet Shabani, në minutën e 31-të. Në anën tjetër, Prishtina mundësinë më të mirë e kishte në minutën e 60-të, por gjuajtja e Makendas e qëlloi shtyllën. Ndërkohë, Vëllaznimi e ka shënuar rikthimin në elitë dhe 90 vjetorin e themelimit me fitore para tifozëve të vet kundër rivalit të vjetër, Lirisë, me rezultat 1:0. Golin e fitores për gjakovarët e realizoi Albutrint Morina, në minutën e 28-të me gjuajtje nga 18 metra. Liria u përpoq deri në fund për të barazuar shifrat por nuk ia arriti qëllimit, derisa në minutën e 66-të golin ia mohoi traversa, pas gjuajtjes së Avdylit nga 30 metra. Fitore para tifozëve të vet ka realizuar edhe Gjilani, që e ka mposhtur Besën, me rezultat 2:1. Rezultatin e zhbllokoi Isa Eminhaziri, në minutën e 31-të, duke e kaluar Gjilanin në epërsi. Epërsinë në 2:0 e shtoi Gëzim Rusi në minutën e 53-të, derisa golin e nderit për pejanët e realizoi Altin Merlaku, në minutën e 82-të.