22 korrik, 2021 – Skuadra nënkampione e Kosovës, Drita ka arritur të luajë baras 0:0 kundër gjigantit holandez, Feyenoord, në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në një atmosferë madhështore të krijuar nga tifozët “Intelektualët”. Ashtu siç pritej skuadra holandeze e dominoi lojën, duke krijuar disa raste shënimi para portës së Faton Malokut, por mbrojtja e skuadrës së drejtuar nga Ardian Nuhiu ishte në nivel të detyrës. Mundësinë më të mirë holandezët e patën krejt në fund të takimit, kur gjuajtja e Francesco Antonuccit qëlloi shtyllën pingule. Ndeshja e kthimit ndërmjet Feyenoordit dhe Dritës, do të zhvillohet me 29 korrik në Roterdam të Holandës.